PËRCAKTIME RRUGËSH DHE TRAFIKU

Përkufizimi i përcaktimeve rrugësh dhe trafiku për disa prej kuptimeve në komunikacionin rrugor kanë të bëjnë me :
- Rrugët dhe sipërfaqet e tyre
- Mjetet në komunikacionin rrugor
- Korsitë e komunikacionit
- Shtigjet
- Llojet e mjeteve
- Kapacitetit dhe tonazhi
- Pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor.

Image

Rrugë

quhet zona për përdorim publik për qarkullimin e këmbësorëve, mjeteve dhe kafshëve.

Image

Autoudhë

Rrugë interurbane ose urbane me karrexhata të pavarura ose të ndara nga trafikndarës të pakapërcyeshëm, secila me të paktën dy korsi lëvizjeje, bankinë të shtruar të mundshme në të majtë dhe korsi emergjence, ose bankinë të shtruar në të djathtë, pa kryqëzime në nivel, e pajisur me rrethim dhe sisteme asistence për përdoruesin gjatë gjithë gjatësisë, e rezervuar për qarkullimin e disa kategorive mjetesh me motor dhe e dallueshme me sinjale të vecanta të fillimit dhe mbarimit. Për qëndrimin duhet të jenë parashikuar zona të caktuara me hyrje e dalje, të pajisura përkatësisht me korsi ngadalësimi dhe shpejtimi. (sugjerimi im dhe teksti qe duhet shtuar) nënkupton rrugën publike posaçërisht të ndërtuar dhe destinuar vetëm për lëvizjen e mjeteve motorike, e cila është e shënuar me shenjë të posaçme komunikacioni, e cila ka sipërfaqe qarkulluese të ndarë fizikisht për lëvizje nga drejtime të kundërta të shiritave me gjerësi së paku 3,5 metra, varësisht nga konfiguracioni i terrenit, me nga një shirit për ndalje emergjente në të dy anët e autostradës, me gjerësi së paku 2,5 metra.

Image

Rrugë interurbane kryesore

Rrugë me karrexhata të pavarura ose të ndara nga trafikndarës të pakapërcyeshëm, secila me të paktën dy korsi lëvizjeje dhe bankina të shtruara, pa kryqëzime në nivel, me hyrje të koordinuara për objekte anësore, e dallueshme nga sinjale të veçanta të fillimit dhe mbarimit, e rezervuar për qarkullimin e disa kategorive mjetesh me motor. Për të tjera kategori të mundshme mjetesh të përdoruesve duhet të parashikohen hapësira të përshtatshme. Për qëndrimin duhet të jenë parashikuar zona të caktuara, me hyrje e dalje, të pajisura përkatësisht me korsi ngadalësimi dhe shpejtimi.

Rrugë interurbane dytësore

Rrugë me një karrexhatë me të paktën një korsi lëvizjeje për sens dhe bankina.

Rrugë urbane kryesore

Rrugë me karrexhata të pavarura, ose të ndara nga trafikndarës, secila me të paktën dy korsi lëvizjeje dhe një korsi e mundshme e rezervuar për mjete publike, bankina të shtruara dhe trotuare, me kryqëzime në nivel të pajisura me semafor. Për qëndrimin janë parashikuar zona ose breza anësore jashtë karrexhatës, të dyja me hyrje dhe dalje të përqendruara.

Rrugë urbane dytësore

Rrugë me një karrexhatë me të paktën dy korsi, bankina të shtruara dhe trotuare. Për qëndrimin janë parashikuar zona të pajisura me korsi manovrimi jashtë karrexhatës.

Image

Rrugë lokale

Rrugë urbane ose interurbane, e sistemuar në mënyrë të përshtatshme sipas përkufizimeve të pikës 1 të këtij neni, por që nuk bën pjesë në rrugët e mësipërme.

Image

Rrugë shërbimi

Rruga anash një rruge kryesore (autostradë, rrugë interurbane kryesore, rrugë urbane kryesore), e cila ka funksionin e lejimit të qëndrimit, si dhe grupimin e hyrjeve nga objektet anësore në rrugën kryesore e anasjelltas; përdoret, gjithashtu, për lëvizje dhe manovra të palejueshme në rrugën kryesore.

Rrugë shtetërore

a) përfaqësojnë drejtimet kryesore të trafikut kombëtar, b) lidhin rrjetin kryesor rrugor të shtetit me atë të shteteve kufitare, c) lidhin ndërmjet tyre kryeqendrat e rretheve ose përfaqësojnë lidhje të drejtpërdrejta e të rëndësishme ndërmjet rrugëve shtetërore, d) lidhin me rrjetin e rrugëve shtetërore portet detare, aeroportet, qendrat me rëndësi të veçantë industriale, turistike, kulturore e klimaterike, e) janë rrugë që përfaqësojnë interes të veçantë për ekonominë kombëtare.

Rrethrrotullimi

kur lidhin kryeqendrën e rrethit me bashkitë, qendrat e komunave dhe zona të tjera me interes industrial, bujqësor, turistik e klimaterik, rrugët që lidhin qendrat e komunave, bashkitë me qendrat e komunave dhe rrugët që lidhin qendrat e bashkisë dhe të komunave me rrugët shtetërore.

Rrugë e brendshme

Përfshihen rrugët që shtrihen brendapërbrenda sektorëve të minierave, naftës, pyjeve, veprave industriale, kantiereve, guroreve dhe ekonomive bujqësore.

Rrugë rurale

janë të gjitha rrugët brenda territorit të komunës ose të bashkisë që nuk përfshihen në ato të grupeve A, B dhe C.

Bankina

pjesë e rrugës e përfshirë ndërmjet kufirit të karrexhatës dhe elementit gjatësor më të afërm: - trotuarit, trafikndarësit, argjinaturës, buzës së brendshme të kanalit, ose buzës së sipërme të skarpatës.

Brez i rezervuar

shirit toke, jashtë kufirit rrugor, në të cilën është e ndaluar për pronarin e tokës të kryejë ndërtime, rrethime, të mbjella, depozitime etj.

Brez për qëndrime anësore

pjesa e rrugës në anë të karrexhatës, e ndarë me një vijë kufitare të ndërprerë e që përfshin rreshtin e vendeve të qëndrimit dhe korsinë përkatëse të manovrës.

Brezi i përkatësisë

shirit toke i ndodhur ndërmjet karrexhatës dhe kufirit rrugor; është pjesë e pronësisë rrugore dhe mund të përdoret vetëm për realizimin e pjesëve të tjera të rrugës.

Brigjet e rrugës

zonë e terrenit që vjen menjëherë pas buzës së poshtme ose të sipërme të skarpatës së trupit rrugor, përkatësisht kur rruga është e ngritur ose e thelluar në terren.

Degë kryqëzimi

pjesë rruge që bën pjesë në një kryqëzim.

Ishull shpëtues

shih (shpëtuese)

Shpëtuese

pjesë e rrugës e ngritur ose e kufizuar dhe e mbrojtur në mënyrë të përshtatshme, e destinuar për mbrojtjen dhe qëndrimin e këmbësorëve, në vendkalimet e këmbësorëve ose në ndalesa të transportit kolektiv.

Ishull trafiku

shih (ishull udhëzues)

Ishull udhëzues

pjesa e rrugës e kufizuar në mënyrë të përshtatshme dhe e pashkelshme, e destinuar për ndarjen dhe drejtimin e rrymave të trafikut.

Ishull trafikndarës

shih (trafikndarës)

Image

Trafikndarës

pjesë gjatësore e rrugës, e pakalueshme nga mjetet, e destinuar për ndarjen e rrymave të mjeteve.

Kalim në disnivel

kryqëzim në nivele të ndryshme, në të cilin rrymat e trafikut nuk ndërpriten ndërmjet tyre.

Kalim në nivel

kryqëzim në nivel i rregulluar dhe i sinjalizuar në mënyrë të përshtatshme, me qëllim sigurimin e qarkullimit ndërmjet një ose më shumë rrugësh dhe një linjë hekurudhore që kalon nëpër sipërfaqen rrugore.

Kanal

vepër arti e destinuar për rrjedhjen e ujërave të shiut, borës ose të drenazhimit, i ndërtuar përgjatë ose tërthor rrugës.

Karrexhata

pjesë e rrugës e destinuar për lëvizjen e mjeteve; ajo është e përbërë nga një ose më shumë korsi lëvizjeje dhe përgjithësisht është e shtruar dhe e kufizuar nga vija anësore.

Image

Korsi

pjesë gjatësore e rrugës me gjerësi të përshtatshme për lejimin e kalimit të një rreshti të vetëm mjetesh.

Image

Korsi biçikletash

pjesë gjatësore e rrugës e kufizuar në mënyrë të përshtatshme, e rezervuar për qarkullimin e biçikletave.

Korsi emergjente

korsi e veçantë në anë të karrexhatës e destinuar për ndalesat e emergjencës, për kalimin e mjeteve të ndihmës së shpejtë dhe, në raste të rralla, për lëvizjen e këmbësorëve, kur kjo është e lejuar.

Korsi lëvizjeje

korsi përbërëse e karrexhatës, normalisht e kufizuar nga shënja horizontale.

Image

Korsi ngadalësimi

korsi e veçantë për të lejuar daljen e mjeteve nga një karrexhatë në mënyrë që të mos shkaktojë ngadalësimin e mjeteve që nuk marrin pjesë në një manovër të tillë.

Korsi e rezervuar

korsi lëvizjeje e destinuar për qarkullimin ekskluziv të një ose vetëm të disa kategori mjetesh.

Korsi e specializuar

korsi e destinuar për mjetet që kryejnë manovra të caktuara, si parakalim, ngadalësim, shpejtim, manovra për qëndrim etj.

Image

Korsi shpejtimi

korsi e veçantë për të lejuar dhe lehtësuar hyrjen e mjeteve në karrexhatë.

Krahu i kryqëzimit

(shih degë e kryqëzimit)

Kryqëzim në disnivel

bashkësi e infrastrukturave (mbikalime, nenkalime dhe rampa) që lejon zhvendosjen e rrymave të mjeteve ndërmjet degëve të rrugëve të vendosura në nivele të ndryshme.

Kryqëzim në nivel

zonë e përbashkët për disa rrugë, e organizuar në mënyrë të tillë që të lejojë zhvendosjen e rrymave të trafikut nga njëra rrugë te tjetra.

Kthesë

rakordim gjatësor ndërmjet dy pjesëve të drejta të rrugës që kanë akse, të cilat ndërpriten.

Kufi rrugor

fundi i pronësisë rrugore, i cili rezulton nga aktet e blerjes ose nga brezat e shpronësimit të projektit të miratuar. Në mungesë të tyre, kufiri formohet nga buza e jashtme e hendekut të sigurimit apo kanalit, kur ai ekziston, ose nga këmba e skarpatës, nëse rruga është në lartësi, ose nga buza e sipërme e skarpatës, nëse rruga është në thellësi.

Parkim

zonë ose infrastrukturë e vendosur jashtë karrexhatës, e destinuar për qëndrimin e rregulluar ose jo të mjeteve.

Pjerrësi

pjesë e rrugës me pjerrësim gjatësor të vazhdueshëm.

Qarkullimi

është lëvizja, ndalimi dhe qëndrimi i këmbësorëve, mjeteve dhe kafshëve në rrugë.

Qendër e banuar

bashkësi ndërtesash, e kufizuar përgjatë rrugëve në hyrje dhe në dalje me sinjale të posacme të fillimit dhe fundit; me bashkësi ndërtesash kuptojmë një grupim të vazhdueshëm dhe të ndërprerë nga rrugë, sheshe, lulishte e zona të përdorimit publik me hyrje për mjetet dhe këmbësorët në rrugë.

Rakordim konkav

rakordim ndërmjet dy pjerrësish të ndryshme njëra pas tjetrës me akse që ndërpriten nën sipërfaqen e rrugës; pjesë e rrugës me formë gjatësore konkave.

Rakordim konveks

rakordim ndërmjet dy pjerrësish të ndryshme njëra pas tjetrës, me akse që ndërpriten mbi sipërfaqen e rrugës; pjesë e rrugës me karakteristikë gjatësore konvekse.

Rampë kryqëzimi

rrugë e destinuar për lidhjen e dy degëve të një kryqëzimi.

Rrugë interurbane

rrugë jashtë qendrave të banuara.

Rrugëkalim këmbësorësh

pjesë e rrugës e ndarë nga karrexhata me një vijë të verdhë, ose një mbrojtëse të posaçme paralele me të, e destinuar për kalimin e këmbësorëve; ajo kryen funksionin e një trotuari rrugor në mungesë të tij.

Rrugëkalim mjetesh

hyrje ose dalje të një zone anësore, e përshtatshme për qëndrimin e një ose më shumë mjeteve.

Rrugë ndërkombëtare

rrugë ose pjesë të rrugës që bëjnë pjesë në itinerare të përcaktuara nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Rrugë urbane

rrugë brenda një qendre të banuar.

Rrymë trafiku

bashkësi mjetesh (rrymë mjetesh), ose këmbësorësh (rrymë këmbësorësh), që lëvizin në rrugë në të njëjtën sens lëvizjeje në një ose më shumë rreshta paralel, duke ndjekur një trajektore të caktuar.

Shesh qëndrimi

pjesë e rrugës me gjatësi të kufizuar, në krah dhe jashtë bankinës, e destinuar për qëndrimin e mjeteve.

Shtegkalim

rrugë me bazament natyror e formuar për kalimin e këmbësorëve ose të kafshëve.

Image

Trotuar

pjesë e rrugës jashtë karrexhatës, e ngritur ose e kufizuar dhe e mbrojtur, e destinuar për këmbësorët.

Image

Vendkalim këmbësorësh

pjesë e rrugës e shënuar në mënyrë të përshtatshme dhe e organizuar, në të cilën këmbësorët, gjatë kalimit nga njëra anë e rrugës në tjetrën, kanë përparësindaj automjeteve.

Xhep ndalimi

pjesë e rrugës jashtë karrexhatës, e destinuar për ndalimin e mjeteve publike të linjës, ngjitur me trotuarin ose me një hapësirë tjetër pritjeje për këmbësorët.

Image

Zonë kryqëzimi

pjesë e kryqëzimit në nivel, në të cilën ndërpriten dy ose më shumë rryma trafiku.

Zonë ndërrimi

pjesë e rrugës me sens unik, gjatë së cilës rryma paralele trafiku, në lëvizje në të njëjtin sens, mund të ndryshojnë pozicionin e tyre reciprok pa pasur nevojë të ndalen.

Zonë me trafik të kufizuar

zonë, në të cilën hyrja dhe qarkullimi i mjeteve janë të kufizuara në orë të caktuara ose për kategori të caktuara mjetesh.

Zonë rigrupimi

pjesë e karrexhatës para vijës së ndalimit, e destinuar për grumbullimin e mjeteve në pritje për rrugë të lirë, përgjithësisht e ndarë në korsi të specializuara e të kufizuara nga vija gjatësore të vazhduara.

Zonë rrugore

sipërfaqja e përfshirë brenda kufijve rrugore; përfshin karrexhatën dhe brezat e përkatësisë.

Zonë përzgjedhjeje

pjesë e rrugës, e sinjalizuar në mënyrë të përshtatshme, ku lejohet ndryshimi i korsisë, me qëllim që mjetet të kalojnë në korsi të specializuara.

Zonë urbane këmbësore

zonë e ndaluar për qarkullimin e automjeteve, përveç atyre të shërbimit të urgjencës dhe mjeteve në shërbim të personave me aftësi të kufizuar lëvizjeje, që kanë përmasa dhe shpejtësi të krahasueshme me biçikletat.

Zonë e veçantë

zonë urbane, në të cilën janë në fuqi rregulla të posaçme qarkullimi në mbrojtje të këmbësorëve dhe të mjedisit, e kufizuar nga sinjale të posaçme fillimi dhe fundi.

Image

Biçikleta

janë mjete me dy ose me më shumë rrota që vihen në lëvizje vetëm në sajë të veprimit të muskujve, nëpërmjet pedaleve ose sistemeve të ngjashme dhe që drejtohen nga njerëzit e hipur në to. Nuk mund të tejkalojnë 1.30 m gjerësi, 3 m gjatësi dhe 2.20 m lartësi.

Slita

Qarkullimi i slitave dhe i të gjitha mjeteve të pajisura me rrëshqitëse lejohet vetëm kur rrugët janë të mbuluara me akull ose me borë me trashësinë e duhur për të mos lejuar dëmtimin e mbishtresës së rrugës.

Image

Ciklomotori

janë mjete me motor, me dy ose tri rrota, që kanë këto karakteristika: a) motor me cilindrat jo më të mëdha se 50 cc, në qoftë se është motor me djegie të brendshme, b) aftësi lëvizëse mbi rrugë horizontale me një shpejtësi deri në 50 km/h, c) ndenjëse njëvendëshe që nuk lejon transportin e një njëriu tjetër, përveç drejtuesit të mjetit.

Image

Ciklomotor me tri rrota

në sajë të ndërtimit të tyre, mund të përdoren për transport mallrash; pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë dhe përmasat gabaritë nuk mund të jenë më të mëdha se sa kufijtë e përcaktuar me udhëzim të veçantë të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse, në përputhje me normativat e Komunitetit Europian.

Motomjeti

janë mjete me motor, me dy, tri ose katër rrota. Motomjetet nuk mund t’i kalojnë 1.60 m gjerësi, 4.00 m gjatësi dhe 2.50 m lartësi. Pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë e një mjeti të tillë nuk duhet t’i kalojë 2.5 tonët.

Image

Motorë

mjete me dy rrota, të destinuara për transport njerëzish, në numër jo më të madh se dy veta, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit.

Image

Motorë me kosh

mjete me tri rrota, të destinuara për transport njerëzish, të pajisura me karroceri të përshtatshme dhe të afta të mbajnë deri në katër njerëz, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit.

Motomjete për transport të përzier

mjete me tri rrota të destinuara për transport njerëzish ose mallrash, kanë maksimumi katër ndenjëse, duke përfshirë edhe atë të drejtuesit të mjetit.

Image

Motokarro

mjet me tri rrota, i destinuar për transport malli.

Mototërheqës

motokarro me tri rrota, e destinuar për tërheqjen e gjysmërimorkiove.

Motokarro për transporte të veçanta

mjete me tri rrota, të destinuara për transportin e disa mallrave ose njerëzve të caktuar në kushte të veçanta dhe karakterizohen nga pajisja, në mënyrë të përhershme, me mekanizma speciale që i shërbejnë këtij qëllimi.

Motokarro për përdorim të veçantë

mjete me tri rrota dhe të pajisura me mekanizma të veçantë që qëndrojnë gjithmonë mbi to; në këto mjete lejohet transporti i personelit dhe materialeve që lidhen me ciklin operativ të këtyre mekanizmave.

Autokarro

mjet me katër rrota i destinuar për transport mallrash, me maksimumi një njeri në kabinë përveç drejtuesit të mjetit; kryen transport të veçantë dhe përdoret në raste të veçanta; pesha e mjetit pa ngarkesë nuk i kalon 0,55 tonët, duke përjashtuar peshën e baterive nëse ka tërheqje elektrike; i aftë të lëvizë në rrugë horizontale me një shpejtësi maksimale deri në 80 km/h.

Image

Automjet

janë mjete me motor me të paktën katër rrota, me përjashtim të autokarrove.

Autovetura

mjete të destinuara për transport njerëzish, që kanë maksimumi nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit.

Image

Autobus

mjet i destinuar për transport njerëzish me më shumë se nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit.

Automjet për transport të përzier

mjet që ka një peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë jo më të madhe se 3.5 tonë, ose 4.5 tonë kur ka tërheqje elektrike a me bateri; janë të destinuara për trans- port njerëzish dhe mallrash me kapacitet maksimal nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtusit të mjetit.

Image

Kamion

mjet i destinuar për transportin e mallrave dhe të njerëzve të caktuar me përpunimin ose transportin e këtyre mallrave.

Image

Tërheqës

mjet i destinuar vetëm për tërheqjen e rimorkiove ose gjysmërimorkiove.

Automjet për transport të veçantë

mjet transporti i destinuar për transportin e disa mallrave ose njerëzve të caktuar në kushte të veçanta dhe karakterizohet nga pajisja në mënyrë të përhershme, me mekanizma specialë që i shërbejnë këtij qëllimi.

Automjet me përdorim të veçantë

mjete të pajisura në mënyrë të përhershme me mekanizma të veçantë dhe të destinuar përgjithësisht për transportin e këtyre makanizmave; mbi këto automjete lejohet transporti i personelit dhe materialeve që kanë lidhje me ciklin operativ të këtyre mekanizmave, si dhe transporti i njerëzve dhe mallrave që kanë lidhje me destinacionin e përdorimit të këtyre mekanizmave

Autotren

komplekse mjetesh të përbëra nga dy njësi të veçanta të lidhura bashkë, nga të cilat njëra është udhëzuese; autotrenat që kanë në mënyrë të përhershme pajisje të veçanta për transportin e mallrave të përcaktuar në aktet në zbatim, do të përbëjnë një njësi të vetme.

Image

Gjysmërimorkiatorë

mjete të përbëra nga një tërheqës dhe nga një gjysmërimorkio.

Artikular

është autobus i përbërë nga dy pjesë të ngurta të lidhura ndërmjet tyre nëpërmjet një mekanizmi të artikuluar; në këta tipa mjetesh pasagjerët e secilës pjesë qarkullojnë lirisht nga njëra te tjetra; ndarja ose lidhja e të dy pjesëve të mjetit me njëra-tjetrën bëhet vetëm në ofiçinë.

Image

Autokampe

mjete që kanë një karroceri speciale dhe janë të pajisur në mënyrë të përhershme për t’iu përshtatur transportit dhe strehimit të deri shtatë njerëzve, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit.

Image

Makina ngarkim-transporti

mjete ose komplekse mjetesh që kanë pajisje të veçanta për ngarkimin dhe transportin e materialeve që përdoren, ose janë produkt i punimeve të ndërtimit dhe të gërmimeve në miniera, si dhe të materialeve që plotësojnë gjatë ecjes ciklin e prodhimit të tyre, këto mjete ose komplekse mjetesh mund të përdoren në transporte që kalojnë kufirin e ngarkesës.

Image

Tramvaj

janë mjete me motor elektrik, që e marrin energjinë me kontakt nga linja ajrore elektrike dhe që lëvizin mbi rrota të zakonshme gome. Trolejbusi mund të ketë edhe një motor me djegie të brendshme ndihmës për lëvizje, ose të jetë i pajisur me bateri për ushqimin e motorit elektrik në mungesë të ushqimit nga linjat ajrore të kontaktit.

Image

Rimorkio

janë mjete të destinuara për t’u tërhequr nga automjetet.

Rimorkio ose gjysmërimorkio për transport pasagjerësh

përfshihen rimorkiot me të paktën dy akse.

Image

Rimorkio kamp

rimorkio me një aks ose me dy akse të vendosura në një largësi jo më shumë se një metër, që kanë një karroceri të veçantë dhe të pajisur për t’u përdorur si vendstrehim, por vetëm kur mjeti është i ndalur

Rimorkio për transport të veçantë

mjet transporti i destinuar për transportin e disa mallrave ose njerëzve të caktuar në kushte të veçanta dhe karakterizohet nga pajisja në mënyrë të përhershme, me mekanizma specialë që i shërbejnë këtij qëllimi

Rimorkio për përdorim të veçantë

mjete të pajisura në mënyrë të përhershme me mekanizma të veçantë dhe të destinuar përgjithësisht për transportin e këtyre makanizmave; mbi këto automjete lejohet transporti i personelit dhe materialeve që kanë lidhje me ciklin operativ të këtyre mekanizmave, si dhe transporti i njerëzve dhe mallrave që kanë lidhje me destinacionin e përdorimit të këtyre mekanizmave

Rimorkio për transportin e pajisjeve turistike dhe sportive

rimorkio me një aks ose me dy akse të vendosura në një largësi jo më shumë se një metër, të cilat kanë pajimin e nevojshëm për transportimin e pajisjeve turistike dhe sportive, si barka, planera etj.

Image

Gjysmërimorkio

janë mjete të ndërtuara në mënyrë të tillë që një pjesë e tyre t’i mbivihet njësisë motorike dhe që një pjesë e konsiderueshme e ngarkesës së saj të mbahet nga kjo njësi

Image

Karrela

janë mjete shtojcë që nuk kanë më shumë se dy rrota dhe janë të destinuara për transport bagazhi, pajisjesh etj, konsiderohen pjesë përbërëse e automjeteve, kur hyjnë brenda përmasave gabaritë kufitare dhe të ngarkesës së lejuar.

Image

Makinat bujqësore

janë makina me rrota ose me zinxhirë, të destinuara për t’u përdorur në bujqësi dhe pylltari, dhe mund të lëvizin mbi rrugë njëlloj si mjetet e tjera për të kaluar nga një vend pune te një tjetër, ose për të transportuar mallra bujqësore etj.

Image

Traktorë bujqësorë

makina me motor me ose pa vend ngarkimi që kanë të paktën dy akse, të destinuara përgjithësisht për tërheqje, por që shërbejnë edhe për shtytje ose për të vënë në lëvizje mekanizma të caktuar; mund të jenë të pajisur me mekanizma që mbarten plotësisht ose jo plotësisht nga traktori dhe që konsiderohen pjesë përbërëse të tij

Image

Makina bujqësore teknologjike me dy ose më shumë akse

janë makina të pajisura ose të destinuara për përdorim të mekanizmave speciale për kryerjen e operacioneve të caktuara bujqësore.

makina bujqësore teknologjike me një aks

janë makina që drejtohen nga toka prej drejtuesit të mjetit dhe mund të jenë të pajisura me karrel të shkëputshëm dhe të destinuar vetëm për transportin e drejtuesit të mjetit. Pesha e përgjithshme e mjetit nuk duhet t’i kalojë 0,7 tonët, duke përfshirë edhe drejtuesin e mjetit.

Image

Rimorkio bujqësore

mjete të destinuara për ngarkesë dhe të tërhequra nga traktorë bujqësorë; mund të jenë të pajisura me mekanizmat e nevojshme për punime bujqësore. Ngarkesa e përgjithshme e mjetit me ngarkesë të plotë nuk duhet t’i kalojë 1.5 tonët. Rimorkiot konsiderohen pjesë përbërëse të traktorit që i tërheq.

Makinat teknologjike

janë makina vetëlëvizëse ose që tërhiqen, me rrota ose me zinxhirë. Këto makina janë të destinuara të operojnë mbi rrugë dhe në kantiere dhe mund të jenë të pajisura me mekanizma specialë. Këto mjete mund të lëvizin në rrugë për të kaluar nga një vend pune në tjetrin ose për të zhvendosur sende që lidhen me ciklin e punës së vetë makinës ose të kantierit, sipas kufizimeve dhe mënyrave të përcaktuara nga aktet në zbatim.