Artikull

Shoqata e transportit në protestë: Të plotësohen kërkesat dhe të qartësohet protokolli i masave

176 Lexime

Përmes këtij demonstrimi punonjësit e transportit treguan se nëse autobusët do vënë në dispozicion për pasagjerët 70% të kapaciteteve të tyre, atëherë distance fizike nuk mund të ruhet. Ky sektor pritet që të rinisin punën me 15 qershor. Mirëpo kjo datë e caktuar nga Ministria e Infrastrukturës po vihet në pikëpyetje, pasi shoqatat e transportit janë të paqartë për zbatimin e protokollit të masave higjienike.

 “70 në këmbë, 30 ulur, plus shoferi, këtu tani 70 veta janë gjithsej. Çfarë distance duhet të mbajmë ne tani”, shprehet një shofer autobusi.

“Kush do t’i mbajë njerëzit nëpër stacione. Mirë stacioni i parë i hipa unë 70%, po kur të vij tek i dyti unë, kush e mban gjithë atë popull, po ata të marrin me derë të çojnë atje përpara”, tha Skënder Braho, drejtor i një kompanie transporti.

“Duhet të sqarohen masat, si do dezinfektohen mjetet, kush do i marrë përsipër pasagjerët që nuk kanë maska?”, thotë Eneo Sulemjanaj, kryetar i shoqatës së transportit ndërqytetës.

Shoqatat e transportit urban dhe interurban për herë të dytë janë mbledhur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe kanë paraqitur katër kërkesa.

“Ne kërkojmë ndihmë financiare për të kapërcyer krizën në të cilën ndodhemi, zbritjen e shitjes së TVSH-së për vitin 2020 në nivel zero dhe në 2021 në pragun e 6%. Dhe heqja e akcizës për naftën meqë është lënda bazë e jona”, tha kryetari i Shoqatës Urbane dhe Interurbane Veri, Dashnor Memaj.

“Ajo që kërkojmë ne është të rikthehemi në jetë, ne dëshirojmë të jemi në punë ditën e hënë. 30% e kapacitetit që do mbetet bosh për shkak të kufizimeve kush do e subvencionojë? Gjithashtu një pikë tjetër është rimbursimi në burim I personat që e përfitojnë falas këtë shërbim”, u shpreh Eneo Sulejmanaj.

“Janë kërkesa që nuk kërkojnë para nga shteti, kërkojnë mbështetjen e shtetit për të mbijetuar, ne nuk kërkojmë rritjen e biletës.” KRYETAR I SHOQATëS Së TRANSPORTIT QYTETAS, RIXHIN QOSHJA

Më herët kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale tha se për industrinë e transportit do të zerohen taksat dhe tarifat vendore deri në 31 dhjetor si dhe konsumi i naftës do njihet si shpenzim i zbritshëm.

Mirëpo për punonjësit  e këtij sektori kjo nuk është një zgjidhje për të dalë nga kriza e COVID-19 që ka zënë transportin. Gjatë tre muajve kur ky sektor nuk ishte në punë, shoferët dhe faturinot tregojnë se kanë marrë vetëm një pagë lufte.

“400 mijë lek për 3 muaj. Më shumë mori kamarieri, sesa ne të transportit”, shprehet një faturino.

“Kemi ndenjur katër muaj të mbyllur brenda, kemi marrë 400 mijë lek. Ku do llogaritet, të paguhet uji, dritat, të ushqehen fëmijët”, tha një tjetër.

Krerët e shoqatave të transportit janë në pritje të një përgjigjeje nga institucionet përkatëse, përndryshe marshimet do vijojnë dhe puna nuk do rinisë të hënën.