Artikull

Kreu i Shoqatës së Transportit Qytetas Rixhin Qoshja: Jemi të paaftë financiarisht për të rifilluar punë

170 Lexime

Një javë para nisjes së aktivitetit të transportit qytetas në të gjithë vendin, shoqatat e transportit  kanë zhvilluar sot një protestë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Shoqata kanë shprehur shqetësimin e tyre se nuk kanë njoftim zyrtar për nisjen dhe se si do të funksionoje aktiviteti, ndërsa kanë paraqitur një listë me 6 kërkesa drejtuar ministrisë. Sipas shoqatave, transporti është ndër aktivitetet më të prekura ekonomikisht nga COVID-19. 

Autoshkolla Shqiperi zhvilloi një bisedë me kryetarin e Shoqatës së Transportit Qytetas, Rixhin Qoshja. Ai tha se kërkesat e tyre drejtuar qeverisë kanë karakter ekonomik me qëllim shpëtimin e sektorit nga falimentimi.

“Neve ende në këtë moment nuk kemi një njoftim zyrtar për rinisjen, datën, protokollin e sigurisë dhe këtu me radhë. Kjo protestë është në vazhdën e kërkesave që ne kemi bërë deri më sot, sepse e shohim të pamundur rinisjen me datën 15, pa u plotësuar disa kërkesa bazike dhe financiare të funksionimit të këtij shërbimi. Nuk kemi ende një njoftim zyrtar, si shoqatë jo, por as si operator sepse shohim se nga ky njoftim ka diçka që nuk shkon. Lejimi i funksionimit me 70 për qind, dhe më pas respektimi i distancës janë diçka që bie ndesh me njëra-tjetrën”, tha ai.

Ai shtoi se rinisja e transporti publik me 15 qershor është e pamundur, pasi operatorët janë në vështirësi financiare dhe nuk kanë kapacitete operimi.

“Kërkesat janë në ndihmë të operatorëve për të bërë të mundur që ky shërbim t’i mbijetojë kësaj situate. Ata janë në dijeni të kërkesa, sepse kanë shkuar zyrtarisht. Ne kemi aplikuar standarde siç e kanë edhe vendet e tjera që na rrethojnë. Jemi këtu dhe nuk kemi një konsultim dhe ne përballemi me një lajm. Unë e dëgjova tek ju, se do të ketë subvencione, por nuk e dimë se cilat janë këto subvencione, ka shumë pikëpyetje me rinisjen. Ne jemi të paaftë financiarisht për të rifilluar punë. 15 qershori praktikisht më duket e vështirë për të rifilluar. Punonjësit e kanë përfituar pagën e luftës, pasi ajo ishte deri me 31 maj. Vetëm në Tiranë janë 1500 persona, në rang vendi shkojnë mbi 10 mijë”, shtoi  ai.