AUTOSHKOLLA AL
Artikull

PËR CILAT MJETE LEJOHET IMPORTI NË TERRITORIN SHQIPTAR?

1618 Lexime

automjetet që do të importohen në Republikën e Shqipërisë, duhet të përmbushin kushtet teknike lidhur me karakteristikat funksionale të sistemeve dhe të pajisjeve dhe gjendjes tekniko-fizike të tyre, të cilat duhet t’u korrespondojnë mjeteve të parashikuara si më poshtë:

a) Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;

b) Mjetet motorike të tjera si autobusë (me peshë maksimale me ngarkesë deri në 5 mijë kg) dhe ato për transport të përzier të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian;

c) Autoveturat e përdorura të kategorisë M1 (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 4);

d) Mjetet motorike të tjera si autobusë (me peshë maksimale me ngarkesë deri në 5 mijë kg) dhe ato për transport të përzier të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 3 dhe me moshë jo më shumë se 15 vjet).





 

Mjete te tjera, për të cilat nuk zbatohet vendimi Nr. 633, datë 26.10.2018, por të cilat lejohet të importohen janë:

a) Automjetet e hershme dhe ato me interes historik dhe koleksionimi, siç janë:

  • automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970;
  • automjetet e prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë;
  • automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.

*KUjDES! Mjete të cilat importohen për efekt Retro (sipas pikës së mësipërme - automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale), është e rëndësishme që të verifikohen dhe të pajisen me një autorizim të lëshuar nga DPSHTRR, i cili i përcillet komisionit shqyrtues dhe në mënyrë që ky i fundit të vleresojë mjetin ose jo të këtij koleksioni. Kjo procedurë shmang importin e mjeteve për të cilat DPSHTRR mund të refuzojë regjistrimin në regjistrin Retro për shkak të kushteve që bien ndesh me procedurat dhe kriteret e përcaktuara. Gjithashtu mjetet që janë importuar dhe zhdoganuar përmes autorizimit, sipas parashikimit të pikës 3 të Nenit 3, të kësaj VKM-je dhe kanë përfituar statusin Retro nuk mund të përfitojnë targa të zakonshme për qarkullim të pa kufizuar.

b) Mjetet motorike, të cilat janë të importuara nga subjekte fizike e juridike, me qëllim ndihmën humanitare, në përputhje me legjislacionin kombëtar që rregullon donacionet dhe ndihmat humanitare.

*Këto vendime gjithashtu ngarkojnë Autoritetet Doganore të kontrollojnë dokumentacionin shoqërues të mjetit motorik dhe të ndalojnë importin e mjeteve motorike që nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara më sipër.

 

Kujdes: para se të porosisni ose blini jashtë vendit mjete të BLINDUARA, për efekt importimi në Shqipëri, duhet të merrni konfirmim pranë DPSHTRR mbi lejimin, rregullat dhe autorizimin përkatës!

 

Kujdes, verifiko Kategorinë Mjedisore!

Në paraqitjen pranë sporteleve të Drejtorive Rajonale të Transportit Rrugor për regjistrim mjeti nga importi, vërehen problematika me mjete të importuara nga vende si Azia, Arabia Saudite, SHBA dhe Kanada të cilat nuk plotësojnë standartet e përcaktuar nga dispozitat dhe rregulloret për kategorinë mjedisore të miratuara nga vendet europiane të cilat zbatohen në Republikën e Shqipërisë.

Për këtë arsye, para blerjes së çdo mjeti sigurohuni të verifikoni online kategorinë mjedisore, e cila në të shumtën e rasteve nuk ndodhet në dokumentacionin shoqërues të mjeteve të cilat i importohen nga vendet e sipër përmendura.