AUTOSHKOLLA AL
Artikull

Hapja e kufijve, Policia e Shtetit: Lejohet hyrja vetëm me makinë në Kosovë dhe Malin e Zi

1365 Lexime

Policia e Shtetit ka bërë të ditur situatën në kufijtë tokësorë të Shqipërisë, duke qenë se nga sot Shqipëria i ka hapur ato, pas një mbylljeje për gati 3 muajsh, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Për Republikën e Italisë, Greqisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndryshim të regjimit kufitar nga ana e tyre. Lejohet hyrja për në Shqipëri, por nuk lejohet hyrja për të gjithë udhëtarët në drejtim të këtyre vendeve, përveç atyre që janë rezident apo që kanë ndjekur procedurat me Ministrinë e Jashtme, si përgjatë periudhës së pandemisë.

Në Republikën e Malit të Zi lejohen të hyjnë pa asnjë pengesë dhe kufizim vetëm qytetarët nga shtetet në listën e miratuar nga ana e tyre (shtete të cilat kanë shkallën e rasteve aktive të koronavirusit më pak se 25 për 100 000 banorë), listë në të cilën bën pjesë edhe Republika e Shqipërisë.

Për Republikën e Kosovës lejohen të hyjnë të gjithë shtetasit, por në qoftë se nuk posedojnë konfirmim zyrtar brenda një afati kohor prej 4 ditësh që janë “negativ” me COVID-19, atëherë duhet të plotësojnë formularin përkatës për vetëkarantinim për një periudhë 7-ditore, ndërsa kamionët duhet t’i nënshtrohen procesit të dezinfektimit para se të hyjnë në territorin kosovar.